fbpx

Trump i kërkoi Netanyahut që të mbyllë menjëherë luftën në Gaza

Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, tha se gjatë takimit të tij të fundit në korrik me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i kërkoi që të mbyllë sa më shpejt luftën e Izraelit në Gaza, por gjithashtu kritikoi kërkesat për armëpushim, raporton Reuters.

“Ai e di çfarë po bën, unë e inkurajova që ta mbyllë këtë shpejt,” tha Trump para gazetarëve në një konferencë për shtyp. “Duhet të përfundojë shpejt… Merrni fitoren dhe përfundojeni. Duhet të ndalet, vrasjet duhet të ndalen.”

Trump iu referua takimit të tij me Netanyahun në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në fund të korrikut, kur Netanyahu vizitoi Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu u takua me Presidentin Joe Biden dhe me Zëvendëspresidenten dhe kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris, gjatë kësaj vizite.

Rreziku i një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme është rritur pasi Izraeli vrau kreun e Hamasit, Ismail Haniyeh, në Iran dhe komandantin ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut. Të dyja këto vrasje shkaktuan kërcënime për hakmarrje ndaj Izraelit. Ndërsa Tel Avivi ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Shukrit, nuk ka komentuar mbi vrasjen e Haniyeh.

Në një aktivitet të mbajtur dje për të trajtuar antisemitizmin, Trump kritikoi Biden dhe Harris për thirrjet e tyre prej disa muajsh për një armëpushim në Gaza.

“Që nga fillimi, Harris ka punuar për të lidhur duart e Izraelit pas shpinës, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, gjithmonë duke kërkuar armëpushim,” tha Trump, duke shtuar se kjo “do t’i jepte Hamasit kohë për t’u riorganizuar dhe për të nisur një sulm të ri në stilin e 7 tetorit.”

Trump shtoi: “Unë do t’i jap Izraelit mbështetjen që i duhet për të fituar, por dua që ata të fitojnë shpejt.”

Trump gjithashtu i quajti mbështetësit pro-palestinezë që kërkojnë t’i jepet fund mbështetjes së SHBA-së për luftën gjenocidale të Izraelit “banditë pro-Hamas” dhe “simpatizantë të xhihadit”. Ai kërcënoi se do t’i arrestojë dhe do t’i deportojë nga SHBA nëse bëhet president.

Zyra e Netanyahut dhe Trump mohuan veçmas një raport të Axios që thoshte se ata kishin folur një ditë më parë për armëpushimin në Gaza dhe për bisedimet për lirimin e pengjeve.

Raporti i Axios citoi dy burime amerikane. Një burim tha se telefonata e raportuar kishte për qëllim të inkurajonte Netanyahun që të merrte propozimin për armëpushim me tre faza të paraqitur nga Biden, por theksoi se nuk e dinte nëse kjo është ajo që i kishte thënë vërtet ish-presidenti Netanyahut.

Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari kanë planifikuar një raund të ri negociatash për armëpushim në Gaza këtë javë.

Uashingtoni, aleati më i rëndësishëm i Izraelit, ka thënë se një armëpushim në Gaza do të reduktojë kërcënimin në rritje të një lufte më të gjerë.

Abonohu për njoftime në email

Lexo artikuj të përzgjedhur, analiza dhe opinione.

Thank you for subscribing to the newsletter.

Oops. Something went wrong. Please try again later.

Kthe një përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *