Efektivi Erion Goxharaj, që plagosi inxhinierin e ERE-s në zonën e Komunës së Parisit në Tiranës, është ende në kërkim.

Policia ka vendosur në dispozicion 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion që mund të çojë në kapjen e efektivit. 

Dy akuza janë ngritur ndaj efektivit të Drejtorisë së Kufirit në Laprakë, “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Blutë e Tiranës ende nuk e kanë të qartë se me çfarë arme ka qëlluar polici, me atë të shërbimit, apo një armë tjetër që e ka pasur në përdorim pa leje. Efektivi dyshohet se fshihet në periferi të Tiranës, në zonën e Dajtit, ku janë përqendruar edhe kërkimet.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të 19 gushtit 2024. Efektivi 46-vjeçar ka vepruar me gjakftohtësi për të plagosur Lorenc Kostën. Policia tha zyrtarisht se plagosja ka ndodhur për ‘motive të dobëta’, por burime thanë se ka dyshime që 45-vjeçari kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e efektivit, megjithatë kjo pistë nuk është e konfirmuar.

Lorenc Kosta ka qenë duke ecur në këmbë në afërsi të kompleksit ‘Kika2’, ndërsa efektivi i policisë ka qenë me makinë.

Efektivi ka ndaluar dhe e ka qëlluar duke e lënë të plagosur. Pas kësaj i ka bërë foto të plagosuri,  i cili ishte i shtrirë në trotuar dhe i mbuluar me gjak.

Pas ngjarjes së rëndë, Goxharaj është larguar me mjetin e tij në drejtim të banesës së tij, ka marrë një çantë me vete dhe menjëherë është larguar. Dyshohet se ai është larguar drejt Dajtit, ku edhe janë përqendruar kërkimet e policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *