Këtë të hënë (12 gusht 2024), anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë thirrje publike për protestën e radhës që do mbahet para Bashkisë Tiranë.

“Duke ju uruar një javë të mbarë miq, ju rikujtoj se të enjte, datë 15 gusht, ora 11:00, mbahet protesta e 21 përpara selisë së 5D dhe inceneratorit Tiranë.”

Protestat para Bashkisë Tiranë erdhën si rezultat i arrestimit të drejtorëve Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, të cilët (sipas SPAK dhe opozitës) përdorën pushtetin e tyre për t’i dhënë tendera dhe kontrata publike kompanisë së tyre “5D Konstruksion”. Protesta e parë u thirr nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe nga Partia Demokratike në prill të këtij viti. Protesta e së enjtes do të shënojë protestën e njëzet e njëtë para këtij institucioni, të cilin opozita e konsideron si “vatra e korrupsionit në Shqipëri”.

Në statusin e tij, Këlliçi falenderon edhe qytetarët që i janë bashkuar kësaj proteste: “…është momenti t’i themi FALEMINDERIT çdo qytetari, demokrat ose jo, me apo pa parti, që ka dalë në protestë në mbrojtje të kryeqytetit dhe taksave tona.”

Kryetari aktual i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre nga opozita, në lidhje me çështjen 5D, inceneratorin e Tiranës dhe shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar. Veliaj, gjithashtu, është nën hetim nga SPAK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *