Një analizë e fundit nga platforma Pixel Tracker, e specializuar në monitorimin e performancës së politikanëve shqiptarë në rrjetet sociale, ka zbuluar një rritje të dyshimtë dhe të paprecedentë të ndjekësve në faqen zyrtare të Sali Berishës në Facebook.
Sipas të dhënave të publikuara nga Pixel Tracker më 18 nëntor, në vetëm katër ditë (14-17 nëntor 2025) faqja e Berishës ka shtuar rreth 20,000 ndjekës të rinj. Kjo rritje është krejtësisht jashtë normës, duke qenë se zakonisht faqja regjistronte vetëm 50-200 ndjekës të rinj në ditë.
Grafiku i publikuar tregon qartë një linjë thuajse horizontale për muajt e fundit, deri në datën 14 nëntor 2025, kur numri total i ndjekësve arrin në 1,517,765 – një shifër kjo që përfaqëson një hop prej mijëra ndjekësish brenda pak ditësh.


Pixel Tracker e cilëson këtë aktivitet si “suspicious surge in bot followers” (rritje e dyshimtë me ndjekës robotë). Këto lloj rritjesh artificiale zakonisht lidhen me shërbime të paguara për blerjen e ndjekësve fake, shpesh nga ferma bots në vende si India, Bangladeshi apo vende të Lindjes së Mesme, çka shpjegon edhe mungesën e ndërveprimit real (likes, komente, shpërndarje) nga këta profile.
Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe gjatë kohës kur Lulzim Basha ishte kreu i demokratëve: rritja me 10 mijë ndjekës në Twitter, blerje të ndjekësve në Instagram dhe Facebook.
Ky incident hedh hije mbi besueshmërinë e prezencës digjitale të liderit historik të djathtë shqiptare dhe nxit pyetjen: sa reale është mbështetja online e Sali Berishës kur numrat fryhen artificialisht me para?