Në Çikago do të nisë sot Konventa Kombëtare e Demokratëve, ku duhet të zyrtarizohet emërimi i Kamala Harris si kandidate demokrate presidenciale për zgjedhjet e nëntorit në SHBA.
Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se ai nuk ka udhëtuar me ftesë të Qeverisë së SHBA-së, por me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI).
Siç është raportuar, në konventë do të jenë të pranishëm kryeministri Albin Kurti, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike Alush Gashi dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.
Në lidhje me ftesën për Kurtin, ambasadori amerikan është pyetur nga Radio Evropa e Lirë, por ambasadori theksoi se ftesa nuk është nga Qeveria Amerikane.
“Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane. Partia Demokratike është një parti politike në Shtetet e Bashkuara. NDI-ja është krah i Partisë Demokratike që punon në ndërtimin e partive dhe institucioneve demokratike jashtë vendit”.
“Pra, kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, ka thënë ndër tjerash ambasadori amerikan në një instervistë dhënë për REL.